Dhuna ndaj grave – informacion i përgjithshëm
Çfarë është dhuna ndaj grave?
Sipas Deklaratës së OKB për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (1993), dhuna ndaj grave përfshin çdo akt dhune me bazë gjinore që rezulton ose mund të rezultojë në dëme apo vuajtje fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike të grave. Ajo përfshin edhe kërcënimet me akte të tilla, kanosjen dhe privimin arbitrar të lirisë qoftë në jetën publike, qoftë në atë private. Në Konventën e Stambollit, dhuna ndaj grave kuptohet si një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi kundër grave.
Llojet e dhunës
- Dhuna ekonomike: Si pjesë e dhunës në familje, ky lloj dhune bën që personi i dhunuar të jetë i varur financiarisht, për shkak se dhunuesi mban kontroll të plotë mbi burimet financiare, ia ndalon qasjen në para, dhe/ose ia ndalon paraqitjen në shkollë apo punësim.
- Dhuna psikologjike: Ky lloj dhune përfshin shkaktimin e frikës; kërcënimin me dëmtim fizik të vetes, partneres apo fëmijëve; shkatërrimin e sendeve personale; “lojëra të mendjes”; ose izolim të detyruar nga miqtë, familjarët, shkolla dhe/ose puna.
- Dhuna emocionale: Përfshin dëmtimin e vetëvlerësimit të gruas përmes kritikave të vazhdueshme; minimizimin e aftësive të gruas; abuzime verbale si sharjet; dëmtimin e marrëdhënies së parneres me fëmijet; ose moslejimin e partneres të takohet me miq e familjarë.
- Dhuna fizike: Përfshin lëndime fizike të gruas përmes goditjes, rrahjes, djegies, shkuljes së flokëve, kafshimit, etj.; mohimin e kujdesit mjekësor apo detyrimit për të përdorur alkool ose droga.
- Dhuna seksuale: Përfshin çdo akt seksual të kryer kundër vullnetit të personit tjetër kur ky person nuk jep pëlqim ose kur pëlqimi nuk mund të merret për shkak se personi është fëmijë, ka aftësi të kufizuara mendore, ose i mungon kthjelltësia mendore për shkak të alkoolit apo drogave. Ky lloj dhune përfshin ngacmimin seksual dhe përdhunimin.
- Femicidi: I referohet vrasjes së qëllimshme të grave për shkak se janë gra. Kryesisht rastet e femicidit kryhen nga partnerë apo ish-partnerë dhe përfshijnë abuzim të vazhdueshëm brenda shtëpisë ose situata ku gratë kanë më pak pushtet apo burime sesa partneri i tyre. Këtu përfshihen edhe vrasjet e nderit, të cilat kryhen ndaj një pjesëtari femër të familjes për shkak të turpit dhe çnderimit që ajo i ka sjellë familjes sipas perceptimit të vrasësit.
- Trafikimi: Rrëmbimi dhe shfrytëzimi i vajzave dhe grave përmes forcës, mashtrimit apo kanosjes. Një pjesë e madhe e grave të trafikuara shfrytëzohen seksualisht.
- Gjymtimi gjenital femëror: Përfshin procedura që dëmtojnë qëllimisht organet gjenitale femërore për arsye jo-mjekësore, të nxitura nga besimet lidhur me gjininë dhe shprehjen e duhur seksuale.
- Martesa e fëmijëve: I referohet martesave ku njëri ose të dy të martuarit janë nën moshën 18 vjeç. Në pjesën më të madhe, viktimë e këtyre martesave të detyruara janë vajzat, të cilat si rrjedhim lënë shkollën dhe përjetojnë forma të tjera të dhunës.
- Dhuna online ose dixhitale: Përfshin aktet e dhunës ndaj grave të kryera ose të ndihmuara përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (telefonat celularë, internetit, mediave sociale, etj.)
Disa statistika globale dhe në Shqipëri
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) llogarit se rreth 1 në 3 (30%, 736 milion) gra të moshës 15 e lart në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose dhunë seksuale jo nga partneri gjatë jetës së tyre. Pjesa më e madhe e dhunës ndaj grave kryhet nga bashkëshorti apo partneri intim aktual ose i mëparshëm. Në rang global, dhuna ndaj grave është më e pranishme në vendet dhe rajonet me të ardhura të ulëta. 37% e grave të moshës 15-49 që jetojnë në vende të klasifikuara nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm si “më pak të zhvilluarat” kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim gjatë jetës së tyre.
Në Shqipëri:
Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja), gjatë jetës së tyre, sipas një vrojtimi të kryer nga INSTAT në vitin 2018. Një e treta e grave dhe vajzave, rreth 37 %, kanë përjetuar dhunë gjatë 12 muajve të fundit. Lloji më i zakonshëm i dhunës është dhuna në lidhje dashurie; lloji i dytë më i zakonshëm i dhunës është dhuna nga partneri intim dhe e treta është ngacmimi seksual.
Gjatë vitit 2020 janë evidentuar dhe trajtuar nga policia, gjithsej 4701 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare – 72 raste me shumë, ose 1.5% më shumë, se gjatë vitit 2019, ku u evidentuan 4629 raste.
Gjatë periudhës 1 janar – 30 shtator 2021 janë evidentuar dhe trajtuar nga policia, gjithsej 3997 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare, ose 404 raste me shumë, ose 11.24 % më shumë, se gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2020, ku u evidentuan 3593 raste.
Në një raport të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet, se në vitin 2022, 4000 gra dhe vajza nga gjithë Shqipëria denoncuan nëpër komisariate policie dhunën me bazë gjinore. Po këtë vit [2022] u lëshuan mbi 2400 Urdhra Mbrojtje. Mbi 3400 telefonata kanë mbërritur gjatë vitit 2022 në Linjën Kombëtare të Këshillimit për Gra e Vajza.
Nga viti 2010 deri në vitin 2023, janë regjistruar 159 gra dhe vajza të vrara si rezultat i dhunës në familje. Këto statistika tragjike tregojnë përmasat shqetësuese të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri.
Gjatë vitit 2023, autoritetet kanë arrestuar 611 persona për dhunë në familje. Po në këtë vit, policia ka marrë rreth 4300 raportime të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Për të adresuar këtë situatë, janë lëshuar më shumë se 2000 kërkesa për urdhra mbrojtjeje.
Që prej vitit 2006, kur hyri në fuqi ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, 33,628 gra janë pajisur me urdhra mbrojtjeje. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, rreth 80% e këtyre rasteve përfshijnë gra të cilat janë keqtrajtuar nga bashkëshorti, ish-partneri, ose bashkëjetuesi i tyre. Në vitin 2023, Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ka marrë 3800 telefonata nga gra që kërkonin ndihmë apo këshillim për situata të dhunës dhe abuzimit në familje, duke dëshmuar edhe një herë nevojën për shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës.
Konventat dhe ligjet në Shqipëri
Deklarata e OKB për eliminimin e dhunës ndaj grave (1993): dokument jo shtrëngues.Thekson se gratë gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore dhe liritë themelore në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore, qytetare apo çdo fushë tjetër; duke përfshirë të drejtën e jetës, të drejtën për liri dhe siguri të personit; të drejtën për standardin më të lartë të shëndetit fizik dhe mendor; si dhe të drejtën për të mos iu nënshtruar torturës apo trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Kjo deklaratë nxit shtetet që të dënojnë dhunën ndaj grave dhe të ndjekin pa vonesë një politikë për eliminimin e saj.
Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit – 2011) – instrument ligjërisht shtrëngues, i ratifikuar nga Shqipëria në 2013-ën.
Konventa e Stambollit bazohet në katër shtylla: Parandalimi i dhunës ndaj grave; Mbrojtja dhe mbështetja e viktimave; Ndjekja penale e dhunuesve; Politika të Integruara. Monitorimi i implementimit të kësaj konvente nga palët kryhet nga Grupi i Ekspertëve për Veprim kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO).
Platforma për Veprim e Pekinit (1995): identifikon veprime specifike që qeveritë duhet të ndërmarrin për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur dhunës ndaj grave dhe vajzave, si një nga 12 fushat prioritare për veprim.
Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave (CEDAW – 1979): ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1994. Kjo konventë nuk e përmend shprehimisht dhunën ndaj grave e vajzave, por Rekomandimet e Përgjithshme 12, 19, 35 e bëjnë të qartë që Konventa, në përputhje me Nenin 2 mbi mosdiskriminimin, përfshin edhe dhunën ndaj grave. Konventa gjithashtu u jep shteteve rekomandime të detajuara për adresimin e dhunës ndaj grave.
Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006 (Ndryshuar me ligjin nr. 9914, datë 12.5.2008, nr. 10 329, datë 30.9.2010, nr. 47/2018, datë 23.7.2018, nr. 125/2020, datë 15.10.2020) “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Ky ligj detajon detyrat e autoriteteve përgjegjëse për luftimin e dhunës në familje si dhe masat që duhen marrë nga gjykata dhe organet e policisë për mbrojtjen e personit të dhunuar.
Kodi Penal pësoi një amendim shumë të rëndësishëm në këtë fushë, me miratimin e Ligjit nr 35 datë 16.04.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Ndryshimi kryesor konsiston në kriminalizimin e dhunës psikologjike në marrëdhëniet familjare si dhe përfshirja në këto marrëdhënie të personave në lidhje ose ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, duke harmonizuar përmbajtjen e nenit 130/a të Kodit Penal me nenin 3 të Konventës së Stambollit dhe ndryshimet e vitit 2018 në ligjin për dhunën në familje.
Dhuna ndaj grave në politikë
Çfarë është?
Dhuna ndaj grave në politikë është “çdo akt apo kërcënim për akt dhune me bazë gjinore që rezulton në dëme apo vuajtje fizike, psikologjike, seksuale të grave, duke mos i lejuar ato të ushtrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre politike, në hapësira publike apo private, duke përfshirë të drejtën për të votuar dhe mbajtur poste publike, për të votuar në fshehtësi dhe për të bërë fushatë të lirë, për t’u shoqëruar dhe grumbulluar dhe për të gëzuar lirinë e opinionit dhe shprehjes. Kjo dhunë mund të ushtrohet nga një pjesëtar i familjes, anëtar i komunitetit, si dhe nga Shteti.”
Dhuna ndaj grave në politikë ka tre karakteristika të veçanta
- Shënjestron gratë për shkak të gjinisë së tyre
- Mund të jetë gjinore në formë
- Impakti i saj është dekurajimi i grave për pjesëmarrjen në veprimtari politike
Dhuna ndaj grave në politikë ndikon në të gjithë gamën e aktivitetit dhe veprimit politik të grave, duke përfshirë kandidimin për një post politik, pjesëmarrjen në parti politike, punën si nëpunëse e zgjedhjeve, votimin, të qenit aktiviste e shoqërisë civile për çështje politike, apo pjesëmarrjen në evente të fushatave. Dhuna Ndaj Grave në Politikë përfshin akte kanosjeje ose të përdorimit të forcës e kërcënimeve për të ndikuar në pjesëmarrjen e individëve, gjë që ka një impakt më të thellë tek gratë për shkak të statusit të tyre të margjinalizuar dhe të cenueshëm në komunitet.
Viktimat dhe të mbijetuarat e Dhuna Ndaj Grave në Politikë përfshijnë gra që kanë poste politike, gra kandidate dhe aspirante, mbështetëse politike, votuese, nëpunëse dhe vëzhguese të zgjedhjeve, nëpunëse publike dhe të qeverisë. Gratë që përballen me diskriminimin e shumëfishtë dhe ndërsektorial (për shembull mbi bazën e moshës, etnicitetit, orientimit seksual dhe identitetit gjinor), si dhe gratë me pikëpamje të caktuara politike apo të lidhura me aktivizmin e të drejtave të njeriut, janë më vulnerabël ndaj dhunës.
Dhuna Ndaj Grave në Politikë mund të ushtrohet offline dhe online, si publikisht ashtu edhe privatisht, nga politikanë të tjerë, pjesëtarë të elektoratit, familjarë dhe të huaj, votues, udhëheqës tradicionalë dhe fetarë, kundërshtarë politikë dhe anëtarë të partive politike, media dhe gazetarë, ose aktorë shtetërorë, mes të tjerash.
Llojet e dhunës ndaj grave në politikë
Dhuna ndaj grave në politikë manifestohet në këto mënyra:
Dhunë fizike: vrasje, rrëmbime, rrahje, shpesh me qëllimin për t’i detyruar gratë të tërhiqen nga jeta politike.
Dhunë seksuale: përfshin ngacmimin seksual, avancime të padëshiruara dhe sulm seksual, përdhunimin, kërcënime me natyrë seksuale, imazhe të modifikuara pornografike apo të seksualizuara, me qëllimin për t’i vënë në dyshim publikisht kompetencat e grave dhe për t’i turpëruar ato.
Dhunë psikologjike: përfshin kërcënime, dëmtimin e reputacionit, përndjekjen, abuzimin online, si dhe dhunën ekonomike si mohimi i pagës apo financimit politik dhe vjedhja ose dëmtimi i pasurisë.
Studime:
Në Shqipëri, një studim i vitit 2021 nga Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbi dhunën ndaj grave në politikë, ka raportuar se:
- Gratë ndanë histori të nënçmimit dhe gjuhës fyese, ndërprerje, tallje, fyerje, shaka të pisëta, akuza të rreme në media, kërcënime.
- Praktika të tjera përjashtuese dhe diskriminuese përfshijnë vënien në dyshim të aftësive të grave, heqjen e grave nga listat e kandidatëve të partive, mohimin e aksesit në mbështetje financiare gjatë fushatave zgjedhore, shkarkimi ose kërcënimi për shkarkimin e grave (dhe anëtarëve të familjes së tyre) nga postet qeveritare, akuza false dhe thashetheme të natyrës seksuale, mospërfillja e grave gjatë takimeve, konsiderimi i kontributit të grave si i vogël ose jo i rëndësishëm, kufizimi i rolit të grave në votimin e vendimeve të paracaktuara, përjashtimi i grave nga informacioni. Këto praktika kryheshin me qëllimin për t’i kontrolluar gratë dhe për t’i bërë të padukshme në politikë.
- Për gratë, veçanërisht ato që përpiqeshin të arrinin pozita drejtuese në parti, autori kryesor i dhunës politike ishte partia e tyre politike.
- Gratë, veçanërisht ato që kanë hyrë rishtazi në politikë, thanë se për shkak të dhunës psikologjike që kanë përjetuar, kanë vënë në dyshim aftësinë dhe vendin e tyre në politikë. Gratë që kanë qenë në shënjestër të akuzave false dhe thashethemeve në media raportuan se përvoja të tilla kanë përkeqësuar problemet e tyre shëndetësore dhe kanë ndikuar në gjumin e tyre. Akuzat e rreme dhe thashethemet e natyrës seksuale kanë pasur efekte traumatike mbi gratë dhe familjet e tyre – fëmijët, prindërit dhe partnerët.
- Një përqindje më e lartë e grave sesa e burrave raportuan se fjalët denigruese ose thashethemet e rreme ndaj tyre ishin të natyrës seksuale.